Bombë në Bashkinë e Tiranës
Shkallëzohet terrori dhe presioni i qeverisë së instaluar mbi pushtetin lokal
Bombë në Bashkinë e Tiranës
Nano i kërcënon “ndershëm” Brojkës. Kryeministri luan hipokritin për incidentin e rëndë në Pallatin e Kongreseve. Nuk dënohet akti kriminal i bodyguardëve të Nanos
Terror mbi pushtetin lokal dhe “ndjesa” e hipokritit
Vendosuri e vendosur banditesk bashkiakët e Tiranës vjen pas kërcënimeve, bllokimeve të urdhëruara me urdhra verbalë nga prefekti i Tiranës, si dhe kërcënimeve me gjobitje nga Drejtoria e Policisë Financiare.
Asambleja Kombëtare e Komunave dhe Bashkive përmes një deklarate të posaçme për shtyp, denoncoi dje kërcënimet dhe presionet ndaj institucioneve të pushtetit lokal, të zgjedhura me votë të lirë e demokratike nga qytetarët.
“Një javë më parë, me urdhër verbal të Prefekturës, bashkisë së Tiranës, si dhe disa njësive të tjera vendore u janë bllokuar llogaritë në bankat e shtetit me justifikime absurde e qesharake. Dhjetra e qindra rroga të punonjësve kanë mbetur pa u lëvruar, ndërsa qytetarëve po u vonohen shërbimet. E çfarë justifikimi? Justifikimi se pushteti vendor, me formatin e vet, nuk u bindet autoriteteve të prefektit. E gjithë kjo bëhet në një kohë kur pushteti vendor është i vetmi institucion që i ka rezistuar kaosit dhe anarkisë në Shqipëri dhe sot me fondet e veta ka qetësuar në mënyrë shembullore shumë zona në vend. Të gjitha këto veprime me pushtetin vendor i quajmë një akt kriminal e antikushtetues, të denjë për regjime totalitare”, thuhej në deklaratën e AKKB-së.
Ndërsa Bashkia e Tiranës vjen me një akuzë të drejtpërdrejtë, për vendosjen e bombës në godinën e saj.
Sipas burimeve zyrtare të bashkisë dhe ekspertizës së policisë kriminale, vendosja e bombës dhe e telekomandës së saj me precizion ushtarak qe planifikuar në orarin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës. Bomba ishte vendosur nën skenën ku zhvillonte mbledhjen e Këshillit bashkiak, e cila ishte nën mbrojtjen e gardës republikane. Ajo dispononte 3.6 kg eksploziv, predha topi e granata antitank. Fatmirësisht, mjeti nuk ka shpërthyer, por kjo nuk e zvogëlon dot dozën e lartë të terrorit të ushtruar mbi kryetarin dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak. Por nuk është ndonjë çudi, që kjo përfaqësi e votës së lirë e të pluralizmit të jetë një nga objektivat e preferuara të terrorit komunist.
Asambleja Kombëtare e Komunave e Bashkive deklaroi se është tronditur thellë për sulmet e përsëritura ndaj institucioneve vendore të zgjedhura në mënyrë të lirë e demokratike. Këto sulme kanë kulmuar me vendosjen e bombës në Bashkinë e Tiranës gjatë zhvillimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak, e cila përbën një akt terrorist dhe një tentativë e dukshme për të intimiduar e frikësuar organet e pushtetit vendor. Asambleja i bën thirrje të gjitha forcave politike, qeverisë dhe institucioneve shtetërore të distancohen pa ekuivok nga akte të tilla dhe të denoncojnë me forcë autorët dhe porositësit e tyre”, thuhej në deklaratë.
Ajo kërkoi gjithashtu nga autoritetet shtetërore të marrin masa të menjëhershme për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë e për garantimin e paprekshmërisë së organeve dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal.
Terrori dhe “ndjesa” e hipokritit
Me anë të zëdhënësit të tij publik, Kryeministri Fatos Nano ka lëshuar mbrëmë vonë një deklaratë lidhur me aktin e djeshëm terrorist në Bashkinë e Tiranës. Që në stil e në ton, ajo është tipikisht naneske. E parafrazuar ajo është si më poshtë: Pasi e shan, e kërcënon, e bllokon financiarisht, i çon policë e forca ushtarake të zaptimit të zyrave, i bën atentat e e vë bombë kundërshtarit politik, kryeministri hipokrit “i shpreh indinjatën dhe tronditjen e thellë kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, Albert Brojka…” Më tej i pohon atij se “ka ngarkuar përfaqësuesit më të lartë të policisë dhe të organeve të tjera për hetimin e plotë dhe të shpejtë të këtij akti…” Po ky kryeministër, para vetëm 48 orësh i çonte Brojkës “ruajtësit e rendit” në zyrë dhe e fyente po aty si ordiner. Kujt i shet mend ky njeri, vallë?!
Pallati i Kongreseve, Nanos bodyguard me tipare mafioze
Pas shfaqjes së vendimeve të Këshillit Bashkiak që cënonin interesat personale të Kryeministrit Nano në lidhje me mjediset e Pallatit të Kulturës, bashkiakët e Tiranës u gjendën përballë kërcënimeve, bllokimeve dhe urdhrave të pushtetit qendror.
Megjithëse një pjesë e mediave të shkruara dhe atyre elektronike u përpoqën të minimizonin dhe të shpërfytyronin agresivitetin e bodyguardëve të Kryeministrit Fatos Nano ndaj zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, prapë ato nuk mundën të fshehin krejt të vërtetën.
Ngjarja e rëndë e së enjtes në Pallatin e Kongreseve ku bashkiakët e Tiranës po bënin një kontroll rutinë mbi zyrat e shndërruara në mjedise banimi për Fatos Nanon dhe bashkëjetuesen e tij, ka qenë e denjë për skenarët e filmave mafiozë. Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, bodyguardët e Nanos kanë hyrë me armë në zyrat e Bashkisë së Tiranës, ku po bëhej inventari i mjediseve të zaptuara, dhe me tone të larta e banale kanë kërcënuar e sharë punonjësit e administratës dhe zyrtarët e policisë financiare. Më tej, bodyguardët e Kryeministrit kanë shkulur nga duart dhe kanë grisur procesverbalin e kontrollit, janë vërsulur me shqelma dhe kanë thyer xhamin e makinës së zyrës së inventarit. Ndërkohë, kreu i policisë financiare ka qëndruar i mefshtë para dhunës dhe arrogancës së bodyguardëve të Fatos Nanos.
Më e padurueshme është histeria dhe demagogjia e zëdhënësit të Fatos Nanos, i cili mbasi e ka quajtur këtë gjakim të terrorizmit të pushtetit si “zbatim detyre”, tashmë me një pafytyrësi tipike totalitare e paraqet banditizmin e bodyguardëve të Nanos si “keqkuptim”!
Në foto: godina e Bashkisë së Tiranës; Albert Brojka